Ylli brazilian Neymar la fushën e lojës mbrëmë në ndeshjen kundër Serbisë pas një dëmtimi në kyçin e këmbës. 30-vjeçari u pa i përlotur në pankinë pasi doli nga loja. Edhe fotot që qarkulluan në mediat online tregonin kyçin e tij të këmbës të enjtur.

Por trajneri i Brazilit, Tite, është shprehur besimplotë se Neymar nuk do ta humbasë këtë Botëror dhe do të vazhdojë të luajë në ndeshjet e tjera.

Kemi besim se Neymar do vazhdojë të luajë në Kupën e Botës. Nuk e pashë që Neymar ishte lënduar. Ai kishte kapacitetin për ta kaluar këtë dëmtim, madje më mashtroi edhe mua”, tha Tite.

Mjeku i Kombëtares së Brazilit tha se do të presin 24-48 orë për të parë shkallën e dëmtimit të Neymar dhe për të dhënë një vlerësim.

Brazili fitoi mbrëmë 2 me 0 përballë Serbisë në ndeshjen e parë të grupit G. Futbollisti i ndeshjes ishte padyshim Richarlison, i cili shënoi 2 golat e fitores. Goli i dytë ndoshta mund të jetë edhe një nga më të bukurit e Botërorit të Katarit. Goditja e topit me gjysmëroveshatë dhe dërgimi në rrjetë nga Richarlison deri më tani është goli më spektakolar.

Duke komentuar për dëmtimin e shokut të tij të skuadrës, Richarlison tha se e ka këshilluar Neymar që të vendosë sa më shumë akull në këmbë për t’u rikuperuar sa më shpejt. /tvklan.al