Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore ndaj tre ish-drejtuesve të Policisë Vendore në Vlorë me qëllim largimin e tyre nga Policia e Shtetit.

Tv Klan ka mësuar se ndaj Jaled Çelës, Gjergj Kohilës e Sokol Bodes është depozituar praktika përkatëse, në të cilën mësohet se është pasqyruar vendimi i Prokurorisë për nisjen e hetimeve dhe vendimet e arrestit.

Burime nga Policia e Shtetit thanë se Komisioni i Disiplinës, pritet të dalë me një vendim brenda ditës së martë.

Pas këtij vendimi, një raport i detajuar me shkeljet e vërejtura, pritet t’i përcillet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili duhet të vendosë për largimin e tyre nga radhët e uniformave blu.

Burime pranë grupit hetimor thanë për Tv Klan se Prokuroria do t’i kërkojë Zyrës së Interpol Tiranës vendosjen e emrave të tyre në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë.

Ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, ish-shefi i Krimit të Organizuar, Gjergj Kohila dhe ish-Shefi i Postës Kufitare të Dhërmiut dyshohet të jenë larguar jashtë vendit.

Por nuk përjashtohet mundësia që ata të vazhdojnë të fshihen në Shqipëri.

Ministria e Brendshme njoftoi zyrtarisht se ata nuk u gjenden në banesat e tyre, ku policia nisi zbatimin e kërkesës së prokurorisë për urdhër–arrestet.

Tre ish-zyrtarët akuzohen për kultivim dhe trafikimit të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Tv Klan