Tre shqiptarë janë arratisur nga qelia e tyre e paraburgimit rreth mesnatës në zonën e Atikës në Athinë. Sipas mediave greke, njëri prej shqiptarëve është i akuzuar për vrasje kurse dy të tjerët për trafik droge.

Së bashku me tre shqiptarët, tentoi të arratisej edhe një gjeorgjian i cili ndodhej gjithashtu në qelitë e paraburgimit. Por, tentativa e tij dështoi dhe u arrestua në oborr nga rojet e burgut.

Autoritetet greke thonë se tre shqiptarët kishin sharruar shufrat e hekurit të qelisë që ndodhej në katin e dytë, në anën e pasme të godinës. Më pas zbritën me çarçaf nga dritarja dhe u larguan në drejtim të panjohur, por nuk dihet ende se si kanë mundur të arratisen pa u vënë re nga gardianët.

Informacionet nga shtypi grek thonë se tre shqiptarët dhe gjeorgjiani po mbaheshin në një dhomë gati për t’u transferuar në Gjykatë. Arratisja rezultoi e suksesshme për tre shqiptarët, por jo për gjeorgjianin i cili u kap në kohë. Edhe ai akuzohet gjithashtu për vrasje.

Ndërkohë policia ka nisur kontroll masiv në të gjithë zonën përreth burgut për të kërkuar gjurmë të shqiptarëve të arratisur. Për momentin emrat e tyre nuk janë bërë publik, por mësohet se janë moshave 38, 35 dhe 27 vjeç.

/tvklan.al