Autoritetet policore në Metro Detroid të SHBA punuan 24 orë në 24, me qëllim që të kapnin një bandë hajdutësh, e përbërë nga shqiptarë, që e ushtronin aktivitetin e tyre kriminal prej vitesh.

Në përfundim, u arrestuan shqiptarët Alban Mustafa, që akuzohet si lideri i këtij grupi. Vëllai i tij i vogël, Andi Mustafa dhe një tjetër person për të cilin nuk jepet emri.

Sipas mediave amerikane, shqiptarët kishin në shënjestrën e tyre shtëpitë dhe bizneset e pronarëve aziatikë. Ata i ndiqnin pronarët nga puna e tyre e më pas futeshin në banesa ku vidhnin para, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

“Shumë prej këtyre bizneseve janë biznese parash. Ata punojnë deri natën vonë, ndaj nuk kanë kohë për të shkuar në bankë çdo ditë për të tërhequr para, për këtë arsye i marrin paratë në shtëpi”,

tha zyrtari i policisë Curt Lawson.

Të hënën pasdite, detektivët kryen kontroll në një zyrë dhe një magazinë, që përdoreshin nga 3 të arrestuarit.

Policia thotë se biznesi i tyre ishte një mënyrë për të pastruar paratë e vjedhura. Për të lëvizur paratë ata përdornin furnizime mjekësore.

3 shqiptarët, sipas mediave amerikane, dyshohet se kanë sjellë shuma parash edhe në vendin tonë.

Hetimet për ta nisën vjeshtën e shkuar, kur një prej grabitjeve u kap nga një kamerave sigurie që ndodhej në banesën e grabitur.

Shqiptarët u futën në kohën që familja ishte larguar dhe shpenzuan të paktën 90 minuta duke kërkuar për sende me vlerë. Policia tha se kishte gjetur prova se aktiviteti i tyre kriminal vijonte që prej 2012-ës.

 

“Gjatë hetimeve gjetëm një bllok me të paktën 100 persona, të cilët autorët i mbanin nën vëzhgim. Ky është një rast i komplikuar dhe nga më të profilizuarit që kam parë në 23 vitet e mia këtu’

, tha zyrtari Lawson.

Hetimet për rastin vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe arrestime të tjera.

//tvklan.al