Qeveria është duke shqyrtuar 3 variante për të ndryshuar pragun e Tatimit mbi Fitimin për bizneset. Aktualisht, ndërmarrjet me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë paguajnë 0 tatim-fitim, nga 5 në 8 milionë paguhet 5% dhe mbi 8, 15%. Pragu 8 milionë po diskutohet që të ndryshojë e të bëhet 10, 12 ose 14 milionë lekë. Ministria e Financave sqaron se e gjithë nisma bëhet për të lehtësuar bizneset e për t’i dhënë fund evazionit që ndodh për shkak të fashave.

Ndryshimi i pragut të xhiros nisi të mendohet si zgjidhje nga frika që shfaqën bizneset, të cilët hynë për herë të parë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Tashmë që zinxhiri i TVSH-së do të gjurmohet dhe te i vogli, bëhet më e vështirë ulja fiktive e xhiros.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka nisur konsultimet me ekspertët dhe grupet e interesit për të propozuar më pas në Këshillin e Ministrave dhe parlament variantin final të ndryshimeve. Brenda dy muajve ligji do të shkojë në parlament dhe pritet të hyjë në fuqi gjatë gjysmës së dytë të vitit.

Tv Klan