cmimi i energjiseEdhe pse është bërë e ditur se që prej 1 janarit 2015 shqiptarët do ta paguajnë energjinë me një çmim më të lartë se ai aktuali, enti rregullator ende nuk e ka vendosur se si do të jetë skema e re.

Pritet që Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, Operatori i Shperndarjes së Energjisë Elektrike dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të paraqesin pranë Entit rregullator kërkesat e tyre për tarifat duke i argumentuar ato sipas shpenzimeve, të ardhurave dhe planit të investimeve.

Sipas të përditshmes Panorama janë tre variantet e skemës që po diskutohen për të përcaktuar më pas cmimin përfundimtar që do të paguajnë konsumatorët për kw/h.

Një prej tyre është që të ruhet fasha e 300 kw/h me çmim 7,7 lekë për kë dhe për shpenzimin mbi 300 kw, çmimi të jetë mbi 13,5 lekë për kw.

Variant i dytë është ulja e tavanit prej 300 kw, dhe tarifimi me 13,5 lekë për kw të nisë në një nivel më poshtë, ndërsa variant i tretë i skemës është tartifimi me një çmim unik, i cili do të jetë më i lartë se çmimi mesatar prej 9,56 lekë, kw/h.

Pak ditë më parë shqetësim për rritjen e çmimit të energjisë e ka shprehur edhe kreu i misionit të FMN në Shqipëri Nadeem Ilahi.

Fondi e ka këshilluar qeverinë të rrisë çmimin, ndërkaq në një intervistë për ABC News, Ilahi deklaroi se për të përmirësuar situatën duhet një kombinim mes vjeljes së faturave si dhe prodhimit të energjisë.

Ndërsa KONFINDUSTRIA, vlerëson, se rritja e çmimit të energjisë elektrike, në kushtet kur pothuaj 50% e sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet humbet për arsye teknike dhe mospagesës, rrezikon të përkeqësojë edhe më shumë jo vetëm zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe vetë gjendjen financiare të operatorëve të prodhimit dhe shpërndarjes.

Tv Klan