Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit janë rritur pas bllokimit të trenit me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, që Beogradi tentoi të fuste në Mitrovicë, një natë më parë. Presidenti serb, Tomisllav Nikolliç mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe deklaroi se është i gatshëm të dërgojë Ushtrinë në Kosovë, nëse jeta e serbëve rrezikohet.

“Çdo tentativë për të shkaktuar konflikt, siç ishin ngjarjet lidhur me trenin, do të përfundojë keq. Le të mendojnë për këtë edhe shqiptarët edhe aleatët e tyre. Ne do të veprojmë konform Kushtetutës së Serbisë. Kosova dhe Metohia nga pikëpamja ndërkombëtare-juridike janë pjesë e Serbisë”.

Nuk ka vonuar përgjigjia e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se kërcënimet e Nikoliç tregojnë qartë se qëllimet e Serbisë janë të njëjta me ato të regjimit të Millosheviçit gjatë viteve të 90-ta.

“Kërcënimet e Serbisë se janë të gatshëm për luftë dhe për të dërguar forcat ushtarake në Kosovë, flasin qartë se qëllimet e Serbisë janë të njëjta me ato të regjimit të Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta.

 

Këto kërcënime për luftë janë të papranueshme, në kundërshtim me dialogun për normalizim të marrëdhënieve dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë paqen në Ballkanin Perëndimor. Përkundër kësaj gjuhe të vjetër kërcënuese dhe provokuese që vjen nga Serbia, unë bëj thirrje që të vazhdohet me rrugën e deritashme të dialogut, bashkëpunimit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve dhe të punojmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kosova, si gjithmonë, mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim në shërbim të paqes dhe stabilitetin në rajon”,

deklaroi Thaçi.

Në veri të Mitrovicës, serbët zhvilluan një protestë kundër asaj që e quajtën si “përpjekje për shtypjen dhe frikësimin e tyre”. Veç flamurit serb, ata mbajtën edhe flamuj me stemën e kombinatit të Trepçës.

Duke reaguar për ngjarjen, Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç ka kërkuar nga Kosova e Serbia t’i ulin tensionet mes tyre.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka bërë publike të gjitha hallkat e operacionit të së shtunës dhe ka theksuar se forcat e rendit janë të përkushtuara dhe profesionalisht të gatshme për të ruajtur sigurinë e vendit.

Tv Klan