Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, citohet të ketë thënë se e paqja dhe qëndrueshmëria janë më të rëndësishmet dhe se për këtë është i gatshëm për të vendosur edhe një “linjë të nxehtë” me Prishtinën për të komunikuar në çdo moment.

“Të bëjmë diçka o njerëz që të kemi paqe e qëndrueshmëri” citohet të ketë thënë ai në Davos pas një takimi me zëvendës presidentin amerikan Joe Biden, me të cilin ka diskutuar edhe çështjen e trenit që ishte nisur të shtunën nga Beogradi për në Mitrovicë dhe që nuk u lejua të hyjë në Kosovë nga autoritetet e Prishtinës.

Zhvillimet rreth trenit nxitën luftë fjalësh të ashpra ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të dyja palëve që të shmangin “retorikën e rrezikshme”.

“Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çka kalon kufijtë e saj”, thuhet në një deklaratë të ambasadës amerikane në Prishtinë.

“Na vjen mirë që nuk kishte konfrontime në kufi, por nga rritja e nacionalizmit nuk përfiton askush”, thuhet në deklaratë në të cilën shprehte mbështetja për bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“U bëjmë thirrje gjitha palëve që t’i shmangen retorikës së rrezikshme dhe të vazhdojnë të punojnë për normalizimin e marrëdhënieve dhe përmirësimin e jetëve të qytetarëve të të dyja shteteve”, thuhet në deklaratë.

Prishtina akuzoi Beogradin për shkelje të sovranitetit, ndërsa presidenti Hashim Thaçi tha se “Serbia po planifikon shkëputjen e veriut të Kosovës duk përdorur modelin e Krimesë”, një referencë për aneksimin e gadishullit në Detin e Zi nga Rusia.

Presidenti serb, Tomislav Nikoliç, akuzoi Prishtinën për “nxitje të luftës” duke dërguar në veriun e banuar me shumicë serbe njësitë e posaçme të policisë.

Të martën presidenti serb i tha ambasadorit amerikan në Beograd se “Shtetet e Bashkuara kanë shkaktuar mjaft probleme në rajon.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të martën se “Bashkimi Evropian duhet të shtensionojë situatën dhe të sigurojë se marrëveshjet midis Beogradit dhe Prishtinës të respektohen dhe se nuk duhet të ketë agjenci shqiptare të zbatimit të ligjt në veri të Kosovës, ku jetojnë serbët”./ tvklan.al