Gjykata e Tiranës ka lënë në burg dy personat e arrestuar për tritolin e vendosur në makinën e biznesmenit Nuredin Suli.

Musa Çerpja dhe Julian Hamollari akuzohen nga prokuroria për pengim të së vertesë në hetimin e kësaj ngjarje.

Sipas akuzës këta dy persona i kanë shitur autorëve të ngjarjes dy numra celulari, atë të gjetur në bombën e montuar dhe numrin e cili ka kryer thirrjen për të aktivizuar.

Grupi hetimor thotë se, është faktuar që Çerepja dhe Hamollari janë pronarë të numrave, pasi i kanë të regjistruar në emrin e tyre dhe i kane shitur në tregun e zi.

Dy  të arrestuarit kanë thënë se nuk mbajnë mend se kujt ia kanë shitur kartat SIM.

Prokuroria sqaron se i ka deleguar policisë të kryejë disa veprime. Pista kryesore vazhdon të jetë ajo e hakmarrjes, por të gjithë personat e dyshuar deri tani kanë alibi të forta.

Dyshohet se autorët mund të jenë persona me pagesë, por identifikimi i tyre është i vështirë, pasi makina e 53 -vjeçarit Suli ka qënë e parkuar në një zonë që nuk mbulohej nga kamerat e sigurisë.

Pakoja me 500 gram tritol u shkëput nga makina e Sulit kur ai po dilte nga parking i një qendre tregtare në zonën e Komunës së Parisit.

Forcat xheniere kryen shpërthim të kontrolluar, duke neutralizuar bombën.

Ekspertët ende nuk e kanë saktësuar nëse thirrja e gjetur në celularin e lidhur me eksploziv është bërë për të provuar kartën SIM apo për të aktivizuar lëndën plasëse.

Tv Klan