itali-policia

Skandali më i fundit i basteve në futbollin italian është shoqëruar me deklarata të tjera. Mes dhjetra të arrestuarve gjatë operacionit “Dirty Soccer”, kishte dhe dy shqiptarë, Edmond Nerjaku dhe Erikson Aruçi.

Kryeprokurori i Katanzaros, Vincenzo Lombardo ka deklaruar se bastet e jashtëligjshme në Lega Pro dhe Serie D financoheshin nga grupe shqiptare, serbe dhe malteze.

Sipas tij ende nuk dihet se nga ishte prejardhja e parave, por gjithsesi vijnë nga jashtë Italisë. Fitimet ishin të mëdha pasi vetëm për një takim kanë dalë rreth 70 mijë euro.

Për këtë çështje ka folur edhe Kryeministri Matteo Renzi. Ai ka thënë se i ka ngjallur neveri kjo që po ndodh, pasi futbolli është pjesë e imazhit të një vendi. Sipas tij duhet të ndryshojë sistemi.

Presidentin i Federatës Italiane të Futbollit, Carlo Tavecchio ka deklaruar se bastet e kategorive të ulëta duhen shmangur, pasi në këtë rast është futbolli që humbet.

Tv Klan