Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike me Kryeministrin e Japonisë Shinzo Abe pas testit bërthamor të Koresë së Veriut.

Sipas mediave ndërkombëtare, biseda telefonike e Trump me Shinzo Abe ka zgjatur 20 minuta.

Të dy udhëheqësit ranë dakord se duhet të bëjnë më shumë presion mbi diktatorin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Deri tani, nuk ka ende një reagim publik nga Uashingtoni.

Koreja e Veriut njoftoi se testoi me sukses një bombë me hidrogjen, e cila shkaktoi tërmet artificial 6.3 ballë. Ka qenë pikërisht Japonia që njoftoi e para për testin e bërë nga shteti komunist. Ndërkohë, edhe Koreja e Jugut reagoi ashpër. Presidenti koreano-jugor u shpreh se po merr seriozisht në konsideratë që të instalojë në territorin e vendit të tij armë shumë të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, dy ditë më parë Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se një konflikt i gjerë mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut është i pashmangshëm. Tensionet në paqësor u rritën përsëri të martën, kur shteti komunist lëshoi një raketë balistike jo bërthamore, që kaloi më Japoni dhe u rrëzua në oqean.

/tvklan.al