Të nesërmen e debatit të parë presidencial, i fituar nga Hillary Clinton sipas analistëve politikë, kandidati republikan Donald Trump iu rikthye sulmeve ndaj rivales së tij.

Me qëllim ringritjen e moralit të përkrahësve të tij në Florida, miliarderi amerikan tha se “nuk ka njeri më të pandershëm se Clinton”, duke premtuar se në debatin e rradhës me 9 Tetor, do ta shtypë ish-Sekretaren Amerikane.

Donald Trump (Kandidat për president):

“Për 90 minuta e vëzhgova me kujdes dhe po qëndroja në pritje sepse nuk doja të bëja asgjë që ta vija në siklet, por e pashë që kishte mbetur në të shkuarën.”

Deklarata e Trump është cilësuar si një shenjë e qartë se ai nuk është i kënaqur me paraqitjen e tij në debatin e Nju Jorkut. Kandidati republikan u shfaq i nervozuar, duke harruar të përmendë një nga pikat themelore të programit të tij, murin me Meksikën, të cilën ia kujtuan mbështetësit që thërrisnin, “na ndërto murin”.

Më herët Trump e quajti të suksesshëm debatin e parë, duke renditur një sërë sondazhesh që e nxirrnin fitues.

 “Në çdo sondazh kemi kryesuar, përveç atij të CNN, por kush e sheh CNN-in?”,

tha miliarderi, duke akuzuar rrjetin prestigjoz televiziv se mbështët Hillary Clintonin.

Tv Klan