Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti në Arabinë Saudite, ku nisi turin e tij 8 ditor të vizitave, i pari që kur miliarderi njujorkez është në krye të Shtëpisë së Bardhë.

I shoqëruar nga Zonja e Parë Melania Trump dhe këshilltarja personal, vajza e tij Ivanka, presidenti Trump u prit në Riad me nderimet më të larta nga Mbreti saudit, Salman. Ceremonia speciale e rezervuar ndaj shefit të Shtëpisë së Bardhë u nënvizua edhe nga mediat amerikane. Trump mori nga Mbreti Slaman medaljen e Mbretit Abdulaziz, titulli më i lartë civil në Arabinë Saudite.

Ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave ishte paraqitja e Melania dhe Ivanka Trump. Të dyja nuk mbanin shami në kokë, sipas zakoneve të vendit mysliman. BBC sjell në kujtesë reagimin e Trump për të njëjtin xhest të ish-Zonjës së Parë, Michelle Obama, të cilin ai e cilësonte një fyerje për kulturën arabe. Twitter

SHBA-të dhe Arabia Saudite do të firmosin disa marrëveshje tregtare që prekin miliarda dollarë. Gjithsesi vizita e Trump në Riad, shihet me skepticizëm nga analistët politikë, për vetë atë çka përfaqëson presidenti amerikan. Prej kohës kur ishte kandidat, Trump trumbetonte ndalimin e myslimanëve në SHBA, një politikë që ai e konkretizoi me urdhrin e fortë debatuar presidencial, që pengonte qytetarët e 7 vendeve myslimane në Lindjen e Mesme.

 Tv Klan