Me të hyrë në Zyrën Ovale, presidenti i ri amerikan Donald Trump, firmosi urdhërin e parë ekzekutiv, i cili parashikon lehtësimin e barrës ekonomike që rëndon nga ligji për shëndetësinë, i njohur gjerësisht si “Obamacare”.

Abrogimi i ligjit për shëndetësinë i ish-presidentit Obama, që mbulon rreth 20 milionë amerikanë, ishte një nga kuajt më të fortë të betejës elektorale të Donald Trump. Me firmën e tij të parë, Shefi i Shtëpisë së Bardhë, dërgoi një sinjal të fortë se anulimi i “Obamacare” është përparësia e tij, shkruan CNN.

Të premten, Donald Trump u betua përpara qindra mijëra të pranishmëve përpara Kapitol Hill.

Në fjalën e tij të parë si presidenti i 45 -të, Donald Trump theksoi se do të kthejë pushtetin te populli dhe do të vendosë Amerikën në vend të parë.

“Sot nuk po transferojmë thjesht pushtetin nga një person në tjetrin. Sot po jua kthejmë pushtetin ju, popullit. Nga kjo ditë, një vizion i ri do të udhëheqë këtë vend, nga kjo ditë do të jetë vetëm Amerika e Para. Çdo vendim, për taksat, për emigrantët, do të merret për të mirën e amerikanëve. Do të mbrojmë kufijtë. Do të luftoj për ju në çdo frymëmarrje dhe nuk do t’u tradhtoj kurrë”.

Presidenti Trump u zotua se do të forcojë fuqinë amerikane dhe do të shfarosë terorrizmin.

“Do të riforcojmë të gjitha aleancat, si dhe do të lidhim aleanca të reja kundër islamit radikal dhe terrorist, të cilën do ta zhdukim plotësisht nga rruzulli tokësor. S’ka rëndësi nëse jemi të zinj, të bardhë apo të kuq, jemi të gjithë njerëz me gjakun e patriotit. Sëbashku do ta bëjmë Amerikën të fortë sërish, do ta bëjmë Amerikën të shëndetshme sërish dhe po sëbashku do ta bëjmë Amerikën të shkëlqyer sërish ! Faleminderit, Zoti e bekoftë Amerikën!”

Në ceremoninë e përurimit të Trump ishin të pranishëm mbështetës dhe kundërshtarë të tij. Ish-presidentët Xhimi Carter, Bill Klinton dhe Xhorxh W Bush. Nuk mungoi as rivalja e Donald Trump në këto zgjedhje, Hilari Klinton, pavarësisht përlasjeve të forta mes tyre ngjatë fushatës.

Siç e do tradita, pas betimit çifti i ri presidencial përcolli ish-presidentin Obama dhe bashkëshoreten e tij Mishel, duke i shoqëruar deri në helikopterin presidencial që i largoi nga Kapitol Hill.

Përpara ceremonisë së përurimit, presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania, hynë për herë të fundit si miq në Shtëpinë e Bardhë, ku u pritën nga tashmë ish-çifti presidencial, Barak dhe Mishel Obama.

Pas zyrtarizimit, Trump la ndërtesën e Kongresit dhe iu drejtua Shtëpisë së Bardhë. Gjatë paradës së zakonshme presidenciale në Pensilvania Avenue, Tramp përshkoi disa metra në këmbë për të përshëndetur përkrahësit në anët e bulevardit.

Në Uashington u regjistruan edhe trazira. Rreth 100 persona u arrestuan nga policia, si pasojë e përleshjeve. Disa prej tyre mbanin në duar pankarta kundër racizmit dhe ksenofobisë.

Tv Klan