Trump kërkon shqyrtimin e marrëveshjes me Iranin

Presidenti Donald Trump ka udhëzuar Këshillin e Sigurimit Kombëtar për të shqyrtuar marrëveshjen ndërkombëtare të programit bërthamor të Iranit dhe të vlerësojë nëse pezullimi i sanksioneve është jetik për interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson komentoi mbi këtë shqyrtim në një letër të martën për kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan.

Zoti Tillerson shkruan se Irani ka vepruar në përputhje me përgjegjësitë sipas Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, që është pranuar në vitin 2015, pas negociatave me SHBA-në, Britaninë, Francën, Kinën, Rusinë dhe Gjermaninë.

“Megjithatë, Irani mbetet një shtet kryesor sponsorizues i terrorit nëpërmjet shumë platformave dhe metodave”, shkruan zoti Tillerson.

Plani i Përbashkët përqëndrohet në programin bërthamor të Iranit dhe në akuzat se Teherani ishte duke punuar për të zhvilluar armë bërthamore. Qeveria iraniane në mënyrë të përsëritur i ka mohuar këto akuza.

Kombet e Bashkuara, si dhe shtete individuale, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, vendosën sanksione ekonomike ndaj Iranit për ta detyruar vendin të braktisë ambiciet për armë bërthamore. Këto sanksione dëmtuan ekonominë iraniane, veçanërisht duke kufizuar aftësinë për të shitur naftë në tregun global, dhe çuan në gati dy vjet negociata të ashpra para se të dy palët të arritin një marrëveshje.

Në këmbim për lehtësim të sanksioneve, Irani ra dakord për të marrë një numër hapash, duke përfshirë edhe pohimin se në asnjë rrethanë nuk do të kërkojë, zhvillojë ose marrë armë bërthamore.

Irani është lejuar për të kryer vetëm pasurim të nivelit të ulët të uraniumit, si dhe për largimin e karburantit të shpenzuar bërthamor, duke e kthyer uraniumin e pasuruar në karburant për reaktor, dhe për konvertimin e impanteve bërthamore në objekte kërkimore për qëllime paqësore.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike është përgjegjëse për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe një komision i përbashkët mes Iranit dhe grupit të gjashtë fuqive botërore është krijuar për të trajtuar ndonjë çështje që mund të lindë.

Plani i Përbashkët përcakton se nëse njëra palë beson se pala tjetër është duke shkelur marrëveshjen, ajo mund të nisë një proces të zgjidhjes së mosmarrëveshjes, hapi i fundit i së cilës është një votim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nëse do të vazhdojë heqja e sanksioneve.

Një veprim i SHBA-së për rivendosjen e sanksioneve mund të shkaktojë tërheqjen e Iranit nga Marrëveshja e Përbashkët.

“Irani ka deklaruar se nëse sanksionet rikthehen tërësisht ose pjesërisht, ai do ta trajtojnë atë si bazë për të ndërprerë kryerjen e angazhimeve që përcakton Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit./VOA

Kategori
BotaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*