Prej ditësh përflitet në media se presidenti Donald Tramp do të tërheqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Marrëveshja për klimën, e firmosur në Paris. Zërat do të marrin fund mbrëmjen e sotme, kur vetë Trump do të mbajë një konferencë për shtyp në “Kopshtin e Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë, për të sqaruar qëndrimin e Uashingtonit.

Menjëherë kanë nisur sulmet ndaj presidentit amerikan. I pari ishte kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill De Blasio, i cili siguroi se qyteti i tij do të respektojë ujdinë  e arritur në prill të 2016, pavarësisht vendimit të Trump.

Kundër shefit të Shtëpisë së Bardhë u radhitën edhe disa nga sipërmarrësit e rëndësishëm amerikanë të cilët mbështesin marrëveshjen e klimës. Që kur ishte kandidat për president, Trump kundërshtonte paktin e Parisit. Ai pretendon se ngrohja klimatike është një farsë e mediave. Javën e kaluar Trump refuzoi të nënshkruajë një marrëveshje mbi klimën në samitin e G7-ës. Dalja e SHBA-ve nga marrëveshja e Parisit kundërshtohet nga Bashkimi Europian dhe Kina. Pekini konfirmoi bashkëpunimin me Brukselin edhe nëse Uashingtoni bën një hap prapa.

Tv Klan