Presidenti amerikan Donald Trump akuzon paraardhësin e tij Barak Obama, për mosveprim në lidhje me ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhje e fundit presidenciale.

Sipas Trump, ish-presidenti Obama ishte në dijeni të këtyre akuzave shumë kohë përpara ditës së zgjedhjeve dhe nuk bëri asgjë. Në një postim në rrjete sociale, shefi i Shtëpisë së Bardhë shkruan se indiferenca e administratës Obama erdhi pasi nuk donte të dëmtonte fushatën e kandidates demokrate Hilari Klinton.

Reagimi i Donald Trump vjen pas një artikulli të publikuar në Uashington Post, sipas të cilit Obama ishte në dijeni që në muajin gusht për interferencën e Moskës dhe të vetë presidentit rus Putin në presidencialet amerikane, por nuk mori asnjë vendim drastik, përveç atij të dëbimit nga SHBA-të të 35 diplomatëve rusë.

Skandali “Russiagate”, apo përfshirja e Rusisë në zgjedhje ka shkaktuar tronditje në administratën e re të presidentit Trump. Këshilltari i Sigurisë së presidentit Michael Flyyn ishte zyrtari i parë që u shkarkua, ndërsa para komisionit hetimor në Kongres kanë dalë deri tani, ish-shefi i FBI-së James Comey dhe prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions.

Tv Klan