Donald Trump pranon se është nën hetim për skandalin shkarkimit të shefit të FBI-së James Comey.

“Po hetohem për shkarkimin e drejtorit të FBI-së, nga një person që më ka thënë të shkarkoj drejtorin e FBI-së! Gjueti shtrigash”, shkruan Trump në postimin e tij, duke iu referuar prokurorit special, Robert Muller.

Shefi i Shtëpisë së bardhë akuzohet se ka ndikuar në hetimet për skandalin “Russiagate”, përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale.

Nën hetimin e drejtuar nga Muller kanë përfunduar edhe dhëndri, njëherësh këshilltari i Trump Jared Kushner, ish-këshilltari i Sigurisë Michael Flynn dhe ish-përgjegjësi i fushatës së Trump, Paul Mannafort, të gjithë të dyshuar se kanë pasur lidhje me zyrtarë të lartë rusë në kohën e fushatës.

Ndërkohë presidenti Trump nuk ka humbur kohë dhe ka kaluar në kundërsulm. “Në 7 muaj hetime për marrëveshje në fshehtësi me Rusinë, askush s’ka arritur të provojë asgjë. E trishtë!”, shkruan Trump.

Tensioni i lartë në administratën amerikane ka detyruar Zv/presidentin, Mike Pence, të ngarkojë një avokat personal për ta përfaqësuar në procesin hetimor.

Skandali “Russiagate”, deri tani ka nxjerrë para komisionit hetimor në Kongres ish-këshilltarin e Sigurisë Michael Flynn, shefin e shkarkuar të FBI-së James Comey dhe Prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions. Presidenti Donald Trump ka deklaruar se do të shprehet për çështjen nën betimin e komisionit hetimor.

/Tv Klan