Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të takojë sot për herë të parë homologun rus, Vladimir Putin.

Dy liderët do të takohen në samitin e G20-ës, i cili mbahet sot dhe nesër në Hamburg, Gjermani.

Sipas medias ruse Trump dhe Putin pritet të takohen pasdreke për rreth një orë, teksa është ende e paqartë nëse do të kenë dalje për median pas takimit kokë më kokë.

Pas telefonatave që ata patën në muajt Janar dhe Maj, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini publikuan përmbledhje të bisedave.

“BBC” thotë se ajo që dimë është se dy liderët kanë pikëpamje të ndryshme për çështjet madhore ndërkombëtare, përfshirë Sirinë.

Të dy kanë theksuar se dëshirojnë të takohen për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara nga kriza në Siri dhe Ukrainë, sidhe nga ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet në Amerikë.

Ndryshimet klimatike dhe tregtia ndërkombëtare pritet të dominojnë samitin, i cili ka shkaktuar protesta masive në vend.

Përplasjet në protestën “Mirë se erdhët në Ferr” lanë 76 police të plagosur.

Korrespondentët thonë se Merkeli, duke zgjedhur ta mbante samitin në Hambur, qendër teknologjike e Gjermanisë, kërkon të tregojë se protestat mund të tolerohen në një demokraci të hapur.  

G20, apo grupi i 20 ekonomive më të mëdha në botë, është një samit i 19 shteteve të zhvilluara dhe në zhvillim plus Bashkimin Europian.

Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, India, Indonezia, Italia, Japonia, Meksika, Rusia, Arabia Saudite, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut, Turqia, Britania e Madhe, SHBA-të dhe Bashkimi Europian marrin pjesë në samit./tvklan.al