Ndryshe nga disa javë më parë, gara mes Hillary Clinton dhe Donald Trump më 8 nëntor, duket se do të nisë nga pozicione të barabarta, madje sipas një sondazhi të CNN, kandidati republikan për president ka përmbysur situatën, duke kryesuar lehtësisht ndaj rivales së tij.

Televizioni amerikan raporton se miliarderi amerikan kryeson me 2 pikë përqindje ndaj ish-Sekretares së Shtetit, 45 me 43 %.

Rezultatet e fundit cilësohen si një surprizë e madhe nga komentatorët politikë në SHBA, duke pasur parasysh në sondazhin e muajit gusht, Hillary Clinton kryesonte me 8 pikë përqindje ndaj Trump, ndërkohë që ky i fundit vuante një periudhë të vështirë, të shoqëruar me zëvendësimin e shefit të fushatës.

Të martën kandidatët për president sulmuan njëri-tjetrin në fushën e sigurisë kombëtare dhe luftën kundër terrorizmit. Trump mbështeti idenë e tij për të bashkuar forcat me Rusinë për të mposhtur ISIS, ndërsa kandidatja demokrate akuzoi miliarderin amerikan se zhvilluar një fushatë fyese ndaj atyre që veshin uniformën./TV KLAN