Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se kreu i Byrosë Federale të Hetimeve James Comey është shkarkuar.

“Presidenti ka pranuar rekomandimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me shkarkimin e drejtorit të FBI-së,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

Zëdhënësi tha gjithashtu se zoti Comey ishte “njoftuar pak më parë.” Kjo hyn në fuqi menjëherë, shtoi ai.

Zoti Comey po mbikqyrte një hetim për të sqaruar nëse disa pjestarë të fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në një letër drejtuar zotit Comey të martën, Presidenti Trump shkruante: “Megjithëse e vlerësoj shumë që më keni informuar në tre raste të veçanta që unë nuk jam objekt hetimi, pajtohem me gjykimin e Departamentit të Drejtësisë se ju nuk jeni në gjendje ta udhëhiqni në mënyrë të efektshme FBI-në”.

“Është me rëndësi të madhe që të gjejmë një udhëheqje të re për FBI-në, për të rikthyer besimin e publikut dhe besimin në misionin e saj jetik për zbatimin e ligjit”, shkruante Presidenti Trump. FBI-ja, – thuhej në letrën e Presidentit, – është një nga institucionet më të respektuara të vendit tonë dhe dita e sotme do të shënojë një fillim të ri për të.

James Comey, prokuror prej një kohe të gjatë, ka qenë zëvendës kreu i Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës së Presidentit George W. Bush dhe u emërua shef i FBI-së me mbështetjen e gjerë nga të dyja partitë në Kongres.

Ai luajti rol kryesor në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, në të cilin zoti Trump fitoi ndaj kandidates Hillary Clinton.

Korrikun e kaluar, zoti Comey tha se kandidatja Clinton ishte treguar “jashtëzakonisht e pakujdesshme” në trajtimin e emaileve të saj që lidheshin me sigurinë kombëtare, në kohën që ishte diplomatja më e lartë e vendit. Ai shtoi megjithatë se veprimet e zonjës Clinton nuk justifikonin ngritjen e ndonjë akuze penale kundër saj.

Më vonë, në fund të tetorit, pak para zgjedhjeve, zoti Comey tha se po rihapte hetimin sepse FBI-ja kishte zbuluar emaile të kandidates Clinton në kompjuterin e kongresmenit Anthony Weiner.

Zonja Clinton më vonë ia hodhi fajin rihapjes nga zoti Comey të çështjes së emaileve aq pranë ditës së votimeve si një nga arsyet për humbjen e saj në zgjedhje. Dy ditë përpara zgjedhjeve, drejtori i FBI-së tha se pasi hetuesit shqyrtuan sasinë e emaileve të zbuluara në kompjuterin e zotit Weiner, nuk gjetën asgjë të re. Zoti Comey la në fuqi përfundimin e mëparshëm se ndaj zonjës Clinton nuk duhej të ngrihej padi penale.

Të martën, FBI-ja e njoftoi Kongresin se gjatë dëshmisë së dhënë prej tij në Kongres javën e kaluar, zoti Comey kishte paraqitur në mënyrë të pasaktë disa nga gjetjet kyçe që përfshimin hetimet rreth emaileve të zonjës Clinton.

FBI-ja saktësoi se vetëm një “numër i vogël” i emaileve i ishte dërguar kongresmenit Weiner, jo “qindra dhe mijëra “, siç ishte shprehur në dëshminë e tij zoti Comey./VOA