Editorial – The New York Times

Kur qeveria e Kamboxhias kërcënoi të hënën (e javës së kaluar) të godasë byrotë e huaja të lajmeve në vend që nuk “respektojnë autoritetin e shtetit”, ajo citoi shembullin e përjashtimit të disa medieve nga një konferencë në Shtëpinë e Bardhë. Kamboxhia nuk ishte i pari vend që përfiton nga sinjalet e reja të Shtëpisë së Bardhë të Trump-it.

Në Rusi, e cila i ka kushtuar burime të mëdha gjenerimit të keqinformimit, Ministria e Jashtme ka adoptuar përdorimin e termit “Lajm i Rremë” nga ana e Presidentit Trump për raportimet kritike ndaj tij. Ministria ka një dritare të re, të veçantë në websajtin e saj, ku artikujt kritikë me qeverinë vulosen me një “FAKE” (i rremë) të madhe e të kuqe. Në Turqi, ku dhjetëra gazetarë janë arrestuar dhe më shumë se 150 kompanive mediatike u është vënë kyçi, Presidenti Recep Tayyip Erdogan përgëzoi presidentin Trump që “i tregoi vendin” një reporteri të CNN-it gjatë një konference për shtyp, pasi nuk iu përgjigj pyetjes së tij dhe tha se të tilla media “minojnë unitetin kombëtar.”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende janë fuqia më e madhe, potencialisht me zërin më të fuqishëm në botë dhe tweeted e deklaratat e një presidenti të ri ndiqen në kohë reale gjithkund, jo vetëm sa i përket zhvendosjes së mundshme në gjeopolitikë, por gjithashtu për mesazhin moral. Autokratët e botës duhet të jenë lehtësuar tek shohin sa larg është larguar Trump nga “qyteti ndriçues mbi kodër” i Ronald Reagan-it dhe nga Amerika e John F. Kennedy-t, e cila impononte respekt “jo vetëm për fuqinë e saj, por për civilizimin.”

Kjo nuk do të thotë se Kamboxhia, Rusia apo Turqia, domosdoshmërish do të kenë marrëdhënie të mira me administratën (Trump). Në fund të fundit, marrëdhëniet ndërkombëtare bazohen mbi interesat kombëtare, jo mbi miqësi. Ia vlen të nënvizohet se në ballë të objektivave të sulmeve të qeverisë së Kamboxhias ndaj medias janë Zëri i Amerikës dhe Radio Azia e Lirë, transmetues të financuar nga Shtetet e Bashkuara që kanë si qëllim t’iu kundërvihen lajmeve të kontrolluara nga qeveritë në shtetet e huaja. Dhe pavarësisht përpjekjeve që Rusia supozohet se bëri për të ndihmuar Trump në zgjedhje, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan Britanisë dhe Francës në shtyrjen për një rezolutë që do të dënonte Sirinë për përdorimin e armëve kimike, të cilën Rusia e cilësoi si “politikisht të njëanshme” dhe vendosi veton. Erdogan e ka cilësuar si “vërtetë shqetësues” urdhrin e shfuqizuar të Trump-it mbi emigrantët.

Por, roli i vetë-imponuar i Amerikës si një arbitër i sjelljes globale, sado irritues dhe hipokrit mund të jetë ngandonjëherë, ka shërbyer si kontroll mbi autokratët dhe nacionalistët dhe ka siguruar autoritet për kundërshtarët e tyre. Në kontrast me këtë, nacionalistët si Marine Le Pen e Francës, Gert Wilders i Holandës, Nigel Farage i Britanisë dhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kanë gjetur inkurajim tek Trumpi.

Trump, ende mund t’i ndryshojë sinjalet e tij. Por, kur ai i quan mediat “armiku i popullit amerikan” apo kur përhap frikë të paqenë rreth myslimanëve apo imigrantëve Meksikanë, ai duhet të dijë se nuk po luan vetëm me amerikanët, por gjithashtu me një botë e cila i merr shumë seriozisht fjalët e tij.

Shqipëroi tvklan.al