Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus Vladimir Putin kanë zhvilluar një takim të dytë, të pazbuluar më parë.

Dy liderët u takuan në darkën e shtruar nga Kancelarja gjermane Merkel me rastin e Samitit të G20. Shtëpia e Bardhë konfirmoi takimin e dytë, por e cilësoi si një bisedë të shkurtër gjatë darkës.

CNN që citon një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, raporton se takimi mes Trump e Putin ka zgjatur rreth 1 orë. Në tryezën ku ndodheshin edhe bashkëshortet e liderëve dhe nga 1 përkthyes për secilin vend, Trump ndodhej pranë zonjës së parë të Japonisë, bashkë me përkthyesin amerikan.

Siç njofton Shtëpia e Bardhë presidenti është ngritur dhe ka shkuar te Bashkëshortja e tij Melania, e cila ndodhej përkrah Putin në tryezë. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë tha se në bisedën e shkurtër nuk ka qenë asnjë pjesëtar i stafit i pranishëm.

Një detaj i tillë ka ngjallur reagime në mediat amerikane pasi takimi mes të dyve është zhvilluar vetëm në praninë e përkthyesit rus. Si mundet që një bisedë, qoftë edhe e shkurtër, me presidentin Putin të kryhet pa praninë e një përkthyesi. Në këtë rast vetëm rusët kanë një raport të asaj çka është thënë, ndërsa ne jo, shkruan CNN. Presidenti Trump e ka cilësuar këtë një histori të rremë dhe të sëmurë, pasi darka e shtruar nga Merkel ishte publike.

Marrëdhënia mes Trump dhe Putin është vënë në qendër të kritikave nga mediat amerikane, pas dyshimeve se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane në favor të Trump./Tv Klan