Presidenti Donald Trump pritet të nënshkruajë sot tërheqjen e SHBA-ve nga dy marrëveshjet e saj më të mëdha tregtare, Nafta dhe TPP-ja.

Më vonë të hënën Trump pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që sinjalizon synimin e tij për të ri-negociuar kushtet e Nafta-s, një marrëveshje tregtie të lirë mes SHBA-ve, Meksikës dhe Kanadasë.

Ndërkohë, “NBC” citoi burime anonime pranë presidentit se Trump po ashtu pritet të nënshkruajë një tjetër urdhër që konfirmon synimin e tij për t’a tërhequr Amerikën nga Partneriteti Trans-Paqësor, një marrëveshje me 11 shteteve në anët e Paqësorit që ende nuk është miratuar nga Kongresi amerikan.

Trump pritet t’i nënshkruajë këto urdhra në orën lokalë 10:30, ose 17:30 me orën shqiptare.

Të dielën Trump tha se ai ka caktuar dy takime me Kryeministrin kanadez, Justin Trudeau dhe Presidentin Meksikan, Enrique Pena Nieto. 

“Do të fillojmë negociata të reja rreth Nafta-s,”  tha Trump lidhur me takimin me Presidentin e Meksikës. Trump tha se po ashtu do të diskutojë çështje të emigracionit dhe të sigurisë së kufijve me Meksikën. Më parë ai ka premtuar se do të ndërtonte një mur në kufirin me Meksikën, dhe Meksika vetë do të paguante për të.

Kreu i stafit të Trumpit, Reince Priebus tha për “Fox News Sunday” se Presidenti do ta kalonte të gjithë javën e parë në zyrë duke zhbërë punën e presidentit Obama, përfshirë edhe ato që lidhen me 700 mijë emigrantët ilegalë që gjenden në SHBA dhe tregtinë./tvklan.al