Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, përsëri ka shprehur përkushtim për përmirësim të raporteve me Rusinë. Në një postim në rrjetin social Twitter, Trump i ka përsëritur deklaratat e tij të mëparshme, se ai dëshiron të punoj me Moskën për zgjidhjen e problemeve globale.

“Duke pasur marrëdhënie të mira me Rusinë është gjë e mirë, e jo gjë e keqe”, ka shkruar Trump dhe ka shtuar se “vetëm budallenjtë do të mendonin se kjo është gjë e keqe”.

Kjo deklaratë u bë vetëm një ditë pasi inteligjenca e Shteteve të Bashkuara tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, personalisht kishte urdhëruar fushatë të sulmeve kibernetike gjatë zgjedhjeve amerikane, për të ndihmuar Trump.

“Ne edhe ashtu kemi mjaft probleme në gjithë botën dhe kur unë të bëhem president, Rusia do të na respektoj ne shumë më tepër se tani dhe të dy vendet do të punojnë së bashku për t’i zgjidhur disa prej problemeve dhe çështjeve të mëdha në botë”, ka thënë Donald Trump.

Raporti sekret i inteligjencës amerikane tregon se presidenti rus kishte urdhëruar ndërhyrje kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara./ tvklan.al