Trupat turke hynë në territorin sirian për të luftuar militantët kurdë të konsideruar si terroristë nga Ankaraja. Një lëvizje që tensionon edhe më tej marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, që kurdët i konsiderojnë si aleatë në luftën kundër Shtetit Islamik në Siri.

Ushtria turke hyri në rajonin kufitar Afrin. Trupat turke goditën 45 objektiva të Njësisë kurde të Mbrojtjes së Popullit, të cilën autoritetet turke e konsiderojnë organizatë terroriste. Kryeministri turk Binali Jëlldërëm tha se ndërhyrja turke synon krijimin e një brezi sigurie në një distancë deri 30 km nga kufiri turk brenda territorit sirian.

Kurdët u kundërpërgjigjën duke qëlluar me raketa qytetet Rejhanli e Kilis pranë kufirit me Sirinë, duke lënë të plagosur rreth 40 persona.

Presidenti sirian Bashar al Asad e quajti ndërhyrjen turke si “një agresion brutal”. Forcat kurde janë në shënjestër të qeverisë së Ankarasë pasi synojnë krijimin e një shteti të pavarur në kufi me Turqinë. Militantët kurdë kanë kryer sulme kundër ushtrisë dhe policisë turke.

Tv Klan