sokol fekaKufoma e pilotit ushtarak Sokol Feka i rrëzuar në Spanjë me helikopterin që po drejtonte vetë, të mbushur me 1 ton drogë, do të qendrojë atje gjer në përfundim të hetimeve.

Lajmi i mësuar eksluzivisht nga Klan, citohet nga burime të prokurorisë spanjolle.

Prokuroria spanjolle, pavarësisht se është shumë e sigurtë që trupi i pilotit të vrarë i përket majorit të forcave ajrore të ushtrisë shqiptare Sokol Feka, ka vendosur që për qëllime hetimore të bëjë verifikimin shkencor të kufomës së tij. Verifikim që autoritetet spanjolle do e bëjnë ose nëpërmjet analizës së AND – së, së të ndjerit ose me njohje nga familjarët e tij.

Kryerja e kësaj ekspertize identifkimi mund t’i hapte rrugë edhe kthimit të kufomës së major Fekës në atdhe gjithnjë nëse kjo lejohet nga hetuesit e çështjes në fjalë.

Identifikimi paraprak menjëherë pas ngjarjes i major Fekës është bërë vetëm nga dokumentat që i janë gjetur në trup. Klan sjell eksluzivisht dokumente personale të majorit të vrarë që po administrohen nga prokuroria spanjolle, dhe që janë gjetur në xhupin e të ndjerit.

Bëhet fjalë për kartën e identifikimit të tij, një kartë krediti të bankës Raifaizen si dhe dokumenti njohës i lëshuar nga reparti i Farkës ku ai punonte si kursant pilotësh.

Të tre këto dokumente janë gjetur në gjendje të mirë, të padëmtuar, edhe pse vetë trupi i majorit ka pësuar dëmtime të mëdha. Mesohet se Feka është gjetur me duart që i mbulonin fytyrën, një gjest dëshpërimi ky i pilotit si për të dashur ta shpëtojë atë në momentin fatal të rrëzimit të helikopterit.

Dhe në fakt pikërisht ky veprim e ka shpëtuar pjesën e perparme të kokës pa shumë dëmtime, ndryshe nga pjesa tjetër e trupit.  Por, edhe pse autoritetet spanjolle kanë në duar tre dokumente identifikimi që vërtetojnë se i përkasin pilotit shqiptar, ata janë të bindur për vazhdimin e identifikimit shkencor ose me njohje nga familjarët, për shkak të vazhdimit të procesit hetimor.

Vetë familjarët e major Fekës, përveçse janë takuar me zyrtarë të Ministrisë shqiptare të jashtme, nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë tjetër për të shkuar në qytetin e Malagas në Spanjë, dhe për të bashkpunuar me autoritetet e hetimit atje, për të bëreë të mundur të paktën identifikimin e kufomës, që do të mund të përshpejtonte dhe procesin e kthimit në atdhe të kufomës.

Për momentin trupi i major Fekës po mbahet në morgun e spitalit të Malagas, dhe sipas autoriteteve spanjolle, aty mund të qendrojë deri në 6 muaj. Më pas për çdo ditë qendrimi më shumë në morg, pagesa do t’i faturohet familjarëve të tij ose në të kundërtën kufoma do të varroset në varrezat publike të qytetit spanjoll.

Por sipas prokuroreve iberikë trupi i tij do të duhet të qendrojë në Spanjë derisa të vazhdojë hetimi, dhe në raste analoge të mëparshme ata i kanë mbajtur trupat edhe me vite, madje edhe pse ishin detyruar t’i varrosnin aty. Dhe trupat janë zhvarrosur, e u janë kthyer familjarëve vetëm kur autoritetet e hetimit kanë dhënë leje për një veprim të tillë.

Megjithatë shpresohet që në rastin konkret, hetimet të mund të vazhdojnë edhe pas lejimit të kthimit në atdhe të kufomës së major Fekës.

Përsa i përket hetimeve, nuk është gjetur akoma se kujt i përket helikopteri pasi asnjë agjenci private apo shtetërore mjetesh të tilla ajrore nuk ka raportuar humbje të ndonjë mjeti të tyre.

Kjo i shton akoma më shumë enigmat e çështjes, duke dyshuar se organizata kriminale që kishte organizuar trafikun mund të jetë akoma më e gjerë duke i kaluar edhe kufinjtë spanjollë.

Tv Klan