Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Greqi, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Athinë në një takim nga Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras.

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në anëtarësimin e saj në NATO, në marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në BE dhe që jep ndaj ecurisë së saj në procesin e integrimit evropian.

Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të dominohen nga interesat e përbashkëta dhe se çështjet e mbartura nga e kaluara duhen trajtuar në mënyrë konstruktive sipas përkatësisë evropiane që na takon.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi momentin pozitiv të Greqisë si edhe përmirësim të situatës ekonomike dhe sociale, pasi fatet e dy vendeve tona kanë qenë dhe janë sot më të lidhura se asnjëherë tjetër.

Duke u ndalur te çështjet e emigrantëve shqiptarë në Greqi, Kryetari i Kuvendit vlerësoi vizionin integrues të qeverisë Tsipras dhe kërkoi që të bëhen përpjekje edhe më të mëdha në këtë drejtim.

Nga ana e tij, Kryeministri i Greqisë, z. Alexis Tsipras, pasi i uroi mirëseardhjen Kryetarit Meta, e vuri theksin te përmirësimi i marrëdhënieve dhe mbrojtjen e perspektivës së fqinjësisë së mirë.

Kryeministri i Greqisë i premtoi Kryetarit të Kuvendit Meta, se qeveria greke do të angazhohet për të krijuar më shumë lehtësira për dokumentet e emigrantëve shqiptarë./tvklan.al