Turku i arrestuar në Durrës, në kërkim ndërkombëtar për terrorizëm



Muhammed Aydogmus, një turk i arrestuar të dielën në portin e Durrësit, pasi së bashku me anëtarët e familjes kishte tentuar të kalonte kufirin me dokumente të falsifikuara, rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë terroriste dhe kërkohet nga Gjykata e Lartë kriminale turke.

Për këtë arsye, këtë të enjte autoritetet në Durrës njoftuan arrestimin e përkohshëm të tij, duke kryer të gjitha procedurat e duhura ligjore me qëllim esktradimi drejt Turqisë.

“Muhammed Aydogmus, 39 vjeç, banues në Turqi, u arrestua më datë 08.10.2017 dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të bashkëshortes së tij, pasi së bashku me dy fëmijët e tyre kanë tentuar të kalojnë kufirin në Portin e Durrësit në drejtim të Italisë me pasaporta, të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara”, sqaron policia në një njoftim zyrtar.

Më tej, burimet zyrtare thonë se ditën e mërkurë në ngarkim të Aydogmus, “gjykata vendosi masës e sigurisë “Detyrim paraqitje dhe lënie garancie pasurore” për veprat penale ” Fallsifikimi i letër njoftimeve i pasaportave ose i vizave ” dhe” Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror””.

Po gjatë ditës së mërkurë, pas njoftimit të marrë nga Interpol Tirana u kryen procedurat mbi arrestimin e përkohshëm të Aydogmus, pasi kërkohet nga shteti turk për organizatë terroriste.

Sipas agjencisë shtetërore turke të lajmeve “Anadolu Agency”, “personi në fjalë supozohet të jetë nga një ekip “trollësh” në internet i cili ka siguruar informata për llogarinë “Fuat Avni” të organizatës terroriste FETO në Twitter, që vitin e kaluar ishte zbuluar nga Kryeprokuroria Publike e Stambollit”./tvklan.al

Kategori
KronikeTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*