Turqia ka vendosur veton ndaj bashkëpunimit të NATO-s me Austrinë, duke bllokuar partneritetin e aleancës me 41 shtete, përfshirë Kosovën.

Turqia është në NATO – duke siguruar numrin më të madh të ushtarëve pas SHBA-ve, teksa Austria nuk është. Por, Vjena bashkëpunon ngushtë me NATO-n dhe ka më shumë se 400 trupa që po shërbejnë në Kosovë.

Austria e ka dënuar veton turke, duke e quajtur “të papërgjegjshme”, ndërsa Turqia është e zemëruar me Austrinë për tentativën e saj për të bllokuar procesin e anëtarësimit të saj në BE.

Një burim i mirinformuar tha për “BBC”-në se tensioni i lartë mes Turqisë dhe Austrisë në thelb ka bllokuar bashkëpunimin e NATO-s me qeverinë në Vjenë përgjatë vitit të kaluar. Veto-ja kishte ndikuar aktivitetet e partneritetit të Aleancës, përfshirë edhe ato në disa shtete të ish-Bashkimit Sovjetik.

NATO-ja ka planifikuar një takim për të enjten, në selisë e aleancës 28 shteteve. Burime nga NATO-s thanë se temë kryesore e takimit do të jetë lufta kundër terrorizmit dhe një ndarje më e drejtë e barrës në këtë luftë.  Trump do u kërkojë shumë shteteve të rrisin shpenzimet e tyrre ushtarake në 2 për qind të PBB-së.

Në një komunikatë që Ministri Austriak i Punëve të Brendshme, Hans Peter Doskozil, i ka dërguar “BBC”-së, ai e dënoi veton turke.

“Unë dënoj fuqimisht kursin e veprimeve të Turqisë në NATO. Është një sjellje e papërgjegjshme kundër Austrisë dhe më forcon bindjen time se Turqia është shumë larg të qenit pjesë e BE-së”.

Ai tha se me këtë veto, Turqia vë në rrezik interesat e sigurisë në Europë. “Bllokada ka një impakt afatgjatë në misionet e paqes në Ballkanin Perëndimor.”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, në krahun tjetër ka fajësuar Austrinë për marrëdhëniet e ngrira me BE-në, mes tensioneve lidhur me imigrimin nëpërmjet Turqisë dhe shtypjes së kundërshtarëve politikë.

“BBC” tha se Austria është një prej kontribuesve kryesorë në misionin e sigurisë në Kosovë.

Një zyrtar i NATO-s i cituar nga BBC-ja, tha se aleanca nuk do t’i jepte fund bashkëpunimit të saj me Austrinë.

“Ne shpresojmë se çështjet dypalëshe mes Austrisë dhe Turqisë do të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.

NATO po planifikon të reformojë mënyrën e vendosjes së partneriteteve në mënyrë që marrëveshjet të nënshkruhen me vendet partnere individualisht dhe jo kolektivisht.

Kjo do të pakësojë edhe mundësinë e vendosjes së vetove ndaj bashkëpunimit me shtetet që nuk janë anëtare në NATO.

Nëse kjo arrihet, misioni austriak në Kosovë do të vazhdojë të funksionojë normalisht pavarësisht përplasjeve Vjenë-Ankara. /tvklan.al