Qeveria turke ka bllokuar në të gjithë vendin enciklopedinë e gjeneruar online nga përdoruesit, Wikipedia-n. 

Lajmi fillimisht u njoftua dje nga websajti “Turkey Blocks” dhe më pas u konfirmua se të gjithë versionet e enciklopedisë online ishin bllokuar, shkruan “Tech Chrunch”.

Bllokimi erdhi pas një vendimi të një gjykate në kryeqytetin turk, Ankara. Me këtë lëvizje, Turqia i bashkohet Kinës si dy vendet e vetme në botë që e kanë bllokuar në mënyrë të plotë aksesin në Wikipedia.

Që prej tentativës së dështuar për grusht shteti në korrikun e kaluar, Presidenti Erdogan ka rritur kontrollin mbi median turke, si atë tradicionale ashtu edhe atë online.

Sipas Associated Press, qeveria ka pushuar nga puna 4 000 punonjës civilë të tjerë këtë javë si të dyshuar për lidhje me klerikun Gylen, një ish aleat i Erdoganit, tani armik i përbetuar.

Sipas të dhënave të deri më tanishme, 47 000 persona janë arrestuar dhe mbi 100 000 janë pushuar nga puna sit ë dyshuar për lidhje me organizatën e shpallur terroriste.

Themeluesit i Wikipedias, Jimmy Wales, reagoi përmes një postimi në Twitter ku tha se “Aksesi në informacion është një e drejtë themelore e njeriut. Popull i Turqisë, unë gjithmonë do të qëndroj krah jush në luftën për këtë të drejtë.”

Qeveria turke ka theksuar se nëse Wikipedia do të editonte disa përmbajtje të saj, bllokimi do të hiqej.

Sipas “Hurriyet”, qeveria ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Wikipedian për heqjen e disa përmbajtjeve ku thuhet se Turqia kishte mbështetur grupet terroriste./tvklan.al