Turqia kërkon që Shqipëria ta ndihmojë në hetimin mbi grushtin e dështuar të shtetit të 15 korrik të vitit të kaluar. Në vizitën e tij zyrtare në Tiranë, Prokurori i Përgjithshëm turk Mehmet Akarca ka përsëritur kërkesën e presidentit Erdoan duke i kërkuar homologut shqiptar, Adriatik Llalla që të bashkëpunojnë mbi hetimin e disa personave me lidhje Gyleniste, që sipas kryeprokurorit turk, strehohen në Shqipëri.

Turqia kërkon serish bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare mbi hetimin e disa personave të lidhur me klerikun Fejtulla Gylen të cilët, sipas Turqisë qëndrojnë në Shqipëri.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm turk Mehmet Akarca, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë, institucionet turke kane dyshime se disa persona të përfshirë ne grushtin e dështuar të shtetit në Turqi, korrikun e 2016, strehohen në vendin tonë.

Kjo nuk është hera e parë që Turqia kërkon bashkëpunimin e Shqipërisë në kapjen dhe arrestimin e personave të përfshirë në grushtin e shtetit. Në njoftimin e bërë publik nuga prokuroria shqiptare nuk sqarohet përgjigjja që ka dhënë kreu i institucionit të akuzës në Shqipëri për këtë çështje.

Një kërkesë e ngjashme është bërë më herët edhe nga presidenti Turk, Rexhep Taip Erdoan gjatë vizitës se tij zyrtare në Shqipëri. Dy vite më parë Erdogan kërkoi nga autoritetet më të larta shtetërore shqiptare që të mbyllin shkollat e lidhura me Gylen në vendin tonë. Nga ajo kohë kanë qenë të përsëritura kërkesat e qeverisë së Ankarasë për të ndërprerë lidhjet me Gylenin që për Turqinë është një në krye të një organizate terroriste. / TV KLAN