Dy javë pas tentativës për grusht shteti në Turqi, vijon vala masave shtrënguese dhe shkarkimeve në disa nga institucionet në vend.

Më shumë se 130 agjenci mediatike njoftohet se janë mbyllur që prej 15 Korrikut, kur një grup brenda ushtrisë turke tentoi të merrte me forcë pushtetin.

Sipas Reuters, janë mbyllur deri më tani 45 gazeta, më shumë se 16 kanale televizive dhe disa agjenci lajmesh. Ndërkohë numri i gazetarëve të arrestuar sa vjen e rritet.

42 gazetarë u arrestuan të hënën, ndërsa 47 të tjerë të mërkurën. Një pjesë e të arrestuarve janë gazetarë të gazetës “Zaman”.

Gazeta me tirazhin më të madh në Turqi u bastis nga forcat e policisë pranverën e kaluar dhe shumë prej drejtuesve dhe gazetarëve u larguan nga puna, pasi u akuzuan se kishin lidhje me imamin Fetullah Gylen, armikun e përbetuar të presidentit Erdoan.

Pas sekuestrimit, gazeta ndryshoi menjëherë politikën editoriale të saj.

Por nga ana tjetër, liderët perëndimorë kanë ngritur shqetësimin se e gjithë situata post grushtit të shtetit, po shfrytëzohet nga presidenti Erdoan për të shtypur opozitën.

Në total më shumë 60 mijë persona janë arrestuar, pezulluar nga detyra apo janë vënë nën hetim që prej tentativës së dështuar për rrëzimin e Erdoan.

Tv Klan