Televizioni Klan ka siguruar vendimin e gjykatës së Tiranës, e cila ka dënuar me burgim të përjetshëm Marjan Rrokun.

Vendimi është i datës 2 Maj 2002 dhe në 5 faqe janë sjellë në mënyrë kronologjike ngjarjet që pasuan krimin e dyfishtë.

Njohja mes Marjan Rrokut dhe viktimës, Alda Canaj, ka ndodhur në vitin 1999.

Fillmisht ata shoqëroheshin në grup dhe në vitin 2000, mes tyre është krijuar një miqësi e ngushtë, aq sa 16 -vjeçarja kishte shkuar edhe në dhomën ku banonte Marjani.

Më pas, i pandehuri ka shfaqur shenja të theksuara xhelozie dhe në Nëntor të vitit 2000, ai e ka dhunuar viktimën. Alda ka bërë një kallëzim në polici, të cilin më pas e ka tërhequr.

Ornela Canaj, motra e viktimës, ka vënë në dijeni babain e saj, Faslli Canaj, i cili i është ankuar në SHIK.

Ndërmjetësimi iu la Vera Halilaj, në parni të së cilës u zhvillua dhe një takim, ku Marjani premtoi se nuk do t’i ngacmonte më.

Por ka ndodhur e kundërta dhe i pandehuri ka shkuar deri në Mallakastër, ku banonin prindërit e vajzës. Pas kësaj, familja Canaj zhvendoset në Tiranë dhe nëna e viktimës e shoqëronte çdo ditë vajzën në shkollë.

Në 17 Shkurt 2001, Marjan Rroku dhunon në rrugë babain e Aldës dhe ushtronte presion mbi familjaret e tjerë për t’i mundësuar një takim me vajzën.

Sot, Rroku thotë se ditën e ngjarjes, Alda dhe nëna e saj e kanë fyer dhe qëlluar.

Por në vendimin e gjykatës është shkruar se i akuzuari u ka dalë përpara dy viktimave dhe i ka qëlluar me armën e shërbimit 7 herë, duke i lënë të vdekura në vend.

10 dëshmitarë kanë provuar fajësinë e ish – Agjentit të SHIK -ut, duke përfshirë edhe miqtë e tij. Në dosje gjendet edhe dëshmia e Blerina Manaj, e cila ka thënë në gjykatë se, ditën e vrasjes, Alda i ka dërguar një letër Marjanit, ku i shkruante:

“Nuk të shikoj dot me sy, nuk të duroj dot”.

Të gjitha këto fakte dhe dëshmi kanë bindur gjykatën për të dhënë burg përjetë për Marjan Rrokun, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli dhe Gjykata e Lartë.

Tv Klan

1

2

3

5

6

7