Zyrtarë të komunikimeve në Iran kanë thënë se kanë nisur negociatat që mund të çojnë në zhbllokimin e Twitter-it atje. Rrjeti social në Republikën Islamike është filtruar shumë, për të parandaluar qasjen në të, por ai nuk ka mundur të injorohet nga disa zyrtarë të lartë.

Twitter nuk ka qenë shumë mjet i popullarizuar social kur është bllokuar në vitin 2009, pas protestave kundër rizgjedhjes së presidentit Mahmud Ahmadinejad. Atëbotë, Facebook dhe YouTube janë konsideruar si mjete të zgjedhura për përhapjen e informacioneve dhe videove në lidhje me protestat kombëtare dhe shtypjen e ashpër që i ka pasuar. Twitter është përdorur më shumë jashtë vendit për të shpërndarë ngjarjet e vitit 2009.

Megjithatë, pavarësisht pengesave, ai është bërë gjithnjë e më popullor në mesin e iranianëve, përfshirë zyrtarët konservatorë, të cilët shpesh e cilësojnë si mjet spiunimi i Perëndimit. Ata e përdorin Twitter-in për të arritur te mbështetësit e tyre me deklarata dhe mesazhe dhe për të përhapur propagandë.

Javën e kaluar, ministri i Komunikimeve i Iranit, Javad Azari Jahromi, ka thënë se shërbimi nuk duhet të bllokohet tutje, ndërsa Twitter ka deklaruar se është i gatshëm të negociojë për zgjidhjen e “problemeve”. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të konfirmojë nëse negociatat kanë nisur.

Por, sido që të jetë, janë disa emra të mëdhenj iranianë që e kanë përdorur Twitter-in gjatë gjithë kohës. Një nga ta është udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cilësuar shpesh nga mbikëqyrësit e medaive si njëri nga armiqtë kryesorë të internetit.

Ai ka llogari në Twitter në disa gjuhë, përshirë: anglishten, farsi, arabishten dhe spanjishten. Ekipi i tij i medias ia poston rregullisht deklaratat, fjalimet dhe fotografitë. Megjithatë, llogaritë e tij në Twitter nuk ndërveprojnë me përdoruesit.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, po ashtu ka llogari në Twitter në gjuhën farsi për audiencën në Iran dhe në gjuhën angleze, me gjasë për përdoruesit jashtë vendit.

Llogaria e tij në farsi ka 514 mijë ndjekës, ndërsa në anglisht 685 mijë ndjekës.

Llogaritë që i ndjek Rohani përfshijnë atë të ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, të ish-presidentit reformator, Mohammad Khatami, dhe të udhëheqësit suprem, Ajatollah Khamenei.

Zarif, ndërkaq, ka llogari në Twitter në gjuhën angleze. Në javët e fundit, ai e ka përdorur rrjetin social për të mbrojtur sjelljen e Iranit në përputhje me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe për të kritikuar komentet e bëra nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Zarif, përmes Twitter-it, po ashtu e ka distancuar veten nga mohimi i Holokaustit që bënte vazhdimisht ish-presidenti Mahmud Ahmadinejad.

Ish-presidenti reformator, Khatami, po ashtu ka përdorur shpesh Twitter-in për të shpërndarë deklaratat dhe fjalimet e tij.

Përpara zgjedhjeve të vitit 2016 për Parlamentin dhe Asamblenë e Ekspertëve, Khatami ka lëshuar një video-deklaratë në Twitter, duke iu bërë thirrje mbështetësve të votojnë për kandidatë të moderuar.

Shahindokht Molaverdi, ndihmëse e posaçme e presidentit Rohani për të drejtat e njeriut, është ndër autoritetet e rralla në Iran, e cila ndërvepron me përdoruesit në Twitter. Ajo shpesh bën postime për politikat e shtetit dhe arritjet e grave iraniane.

Zyrtarët e tjerë iranianë që kanë përdorur gjithnjë Twitter-in përfshijnë edhe nënpresidenten e Iranit për çështje të gruas dhe familjes, Massoumeh Ebtekar, dhe ligjvënësin reformator, Mahmud Sadeghi./ REL