Filmi turk “Zer”, me aktor kryesor shqiptarin Nik Xhelilaj, vazhdon të korrë sukses në arnën ndërkombëtare pavarësisht se gjatë shfaqjes në kinematë turke disa sekuenca të tij janë censuruar nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit.

Media turke raporton se filmi “Zer” ka fituar çmimin “Grand Prix du Publique” në Festivalin e 23-të Ndërkombëtar të Nancy-t në Francë.

“Zer” është një film i regjisorit Kazim Oz. Historia e filmit nis në Neë York, ku Jan (Nik Xhelilaj), bir i disa emigrantëve turq studionte muzikë. Në qytet mbërrin gjyshja e tij për një operacion kundër kancerit, nga e cila ai dëgjon një këngë tradicionale.

I riu ngërthehet nga pasioni për të zbuluar çfarë qëndron pas saj. Kjo e sjell Janin nga SHBA-të në Dersim, ku edhe zbulon disa sekrete të familjes së tij.

Në varrimin e gjyshes së tij Jan mëson nga halla se në fakt gjyshja e tij kishte qenë kurde dhe se në masakrën e Dersimit kishte humbur familjen për t’u adoptuar më pas nga një familje turke.

Kënga ishte trashëgimia e vetme që i kishte mbetur asaj nga identiteti i saj kurd. Dhimbja është kryefjala e mijëra familjeve që kanë përjetuar ngjarje të ngjashme në atë kohë.

Masakra e Dersimit njihet si përplasje e disa fiseve kurde me ushtrinë turke në vitet 1937-1938, kryengritje e cila përfundoi me vdekjen e rreth 13 000 kurdëve dhe mbi 100 ushtarëve turq, sidhe zhvendosjen e mbi 12 mijë banorëve të tjerë.

Edhe emri i aktorit kryesor Jan në gjuhën kurde do të thotë ‘dhimbje’.  

Filmi megjithëse është mbështetur financiarisht edhe nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizimit, gjatë shfaqjes në kinematë turke ka rënë pre e censurës nga vetë kjo ministri.

Si protestë ndaj ministrisë së kulturës, regjisori Kazim Oz vendosi që pjesët e censuruara të filmit të mos i presë nga filmi teksa shfaqej në kinema, por të vendoste që në sfond të zi të shkruante “kjo sekuencë është censuruar nga Ministria turke e Kulturës dhe Turizmit”.

Ai madje shkoi më tej duke e akuzuar qeverinë se kur i interesonte sillej si demokratike, dhe kur nuk i interesonte sillej si despote.

/tvklan.al