Afro dy javë pas dorëheqjes nga drejtimi i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika propozohet nga mazhoranca për të qenë ambasador i Shqipërisë në NATO.

Burime i thanë Televizionit Klan se kryeministri Rama ka firmosur shkresën që i shkon për shqyrtim Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit dekretoi pa asnjë vonesë lirimin e Visho Ajazit nga detyra më 30 tetor, pas kërkesës surprizë të këtij të fundit drejtuar kryeministrit për të dhënë dorëheqjen.

Vetë ish-kreu i Shish nuk dha asnjë shpjegim për largimin nga posti që mbante prej 5 vitesh, ndërsa motivet e dorëheqjes u komentuan si vullnet personal i tij për të lënë këtë detyrë. Zyra për shtyp e kryeministrit tha përmes një reagimi zyrtar se kreu i qeverisë kishte mirëpritur dorëheqjen e kreut të SHISH dhe e kishte falënderuar për kontributin, ndërsa Lulzim Basha i pyetur nga mediat  lidhur me këtë çështje, tha se “nuk kishte informacione konkrete por sipas tij nuk përjashtonte mundësinë e presioneve politike.

Visho Ajazi Lika mori postin e kreut të SHISH në vitin 2012, me propozim të ish-kryeministrit të asaj kohe Sali Berisha.  Ai është dhe kandidati i parë për ambasador që Ilir Meta duhet të shqyrtojë si president. Kreu i shtetit refuzoi dy ditë më parë kërkesën e një grupi deputetësh të opozitës për të deklasifikuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së 11 Tetorit të vitit të kaluar ku SHISH kishte raportuar për situatën e drogës dhe kanabisit në vend. Ishte pikërisht ky institucion që informoi më së shumti Prokurorinë dhe institucionet e tjera ligj-zbatuese në vend për problemet e kanabisit dhe trafiqeve.

Tv Klan