Aktori i njohur turk, Yurdaer Okur duket se ia ka hedhur paq pasi u kap me 1 gram kanabis në aeroportin e Qipros Turke, në fund të muajit të kaluar.

 “Hurriyet” tha se aktori i njohur për rolin e Turgut-it në serialin “Karadayi”, është dënuar me vetëm rreth 30 euro gjobë, as nuk u dënua më burg e as nuk u dëbua nga vendi.  Në serialin “Karadayi” ai ka luajtur me dy prej aktorëve më të famshëm në Turqi si Kenan Imirzalioglu (Mahiri) dhe Berguzar Korel (Feride).

 Gjykata e Lefkosas vendosi ta gjobisë për “importim dhe përdorim droge” dhe e la të lirë.

 Ky ishte vendimi i shumicës së gjyqtarëve, pavarësisht se njëri prej tyre kërkoi që aktori të dënohej me 15 ditë burg.

Përdorimi i drogës konsiderohet krim i rëndë në Qipron Turke dhe zakonisht dënohet me burg. Në rast se një i huaj dënohet me burg, ai dëbohet dhe i ndalohet hyrja në vend për të gjithë jetën. Por, ky nuk është rasti i aktorit.

Largohet nga seriali

Megjithëse nuk është dënuar me burg aktori është larguar nga seriali që ishte i angazhuar në Turqi.

Lajmi u konfirmua nga vetë aktori, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale tha se i kishte kërkuar leje për t’u larguar kompanisë me të cilën kishte nënshkruar marrëveshje për serialin që po transmetohet në ATV. Aktori falënderoi kompaninë e produksionit dhe televizionin për mirëkuptimin dhe mbështetjen.

Nuk dihen ende planet e ardhshme të aktorit, i cili i shpëtoi dënimit me burg, por që duket se do të ketë goxha telashe nga kjo histori. /tvklan.al