Ministri i ri i Drejtësisë Gazment Bardhi ka pezulluar nga detyra Drejtorin e IEVP në Tropojë, Granit Kurmekaj për veprën penale të përfshirjes në fushatën zgjedhore të një partie politike.

Çështja po ashtu i është referuar Prokurorisë së Përgjithshme për ndjekje penale.

Vendimi i ministri erdhi pas verifikimeve dhe informacioneve të marra nëpërmjet fotove dhe videove, ku konstatohet përfshirja e Kurmekaj, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin.

Ky ishte pezullimi i parë nga Ministri i ri i Drejtësisë, pak ditë pasi mori detyrën e ministrit pas propozimit nga Partia Demokratike si minsitër teknik.  

Kurmekaj do të jetë i pezulluar nga detyra deri në sqarimin e rrethanave mbi këtë çështje.

Në njoftimin e publikuar, Ministria e Drejtësisë tha se “inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në portalin elektronik në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve.”

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Bardhi tha se “do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.”/tvklan.al