Klodjan Hysa, shqiptari 35 – vjeçar i cili u qëllua me plumb në kokë nga një karabinier, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm.

Hysa ishte pjesë e një bande të specializuar në grabitjen e banesave.

Sëbashku me një tjetër person, ai dyshohet se kishte grabitur një shtëpi dhe pasi u pikasën nga karabinierët, ata tentuan të largoheshin, duke mos iu bindur urdhërit për të ndaluar. Ishte pikërisht ky momenti kur njëri prej tyre e qëlloi Hysën me plumb në kokë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, në Monte San Giusto.

I riu shqiptar ishte shpallur klinikisht i vdekur, pak kohë pas ngjarjes.

Mediat italiane shkruajnë se familjarët e të riut ndodhen në Itali, ku kanë bërë identifikimin e tij dhe pritet të marrin trupin e pajetë në Shqipëri.

Aktualisht autoritetet fqinje vijojnë punën për kapjen e bashkëpunëtorëve të 35 – vjeçarit, të cilët akuzohen si autorë të grabitjes së disa banesave./tvklan.al