82 vajza nga qyteti Çibok, të cilat ishin rrëmbyer nga grupi terrorist Boko Haram, u liruan nga ekstremistët dhe të dielën mbërritën në Abuxha, kryeqytetin e Nigerisë.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq postoi një fotografi në llogarinë e tyre të Twitterit ku shihet rreshti i vajzave duke hipur në një helikopter. Ata thanë në Twitter se “vepruan si ndërmjetës neutralë për të ndihmuar” rikthimin e vajzave në shtëpitë e tyre.

Emman Shehu, një nga anëtarët e fushatës “Bring Back Our Girls” – “Ktheni Vajzat Tona”, një fushatë që ka punuar për të rritur ndërgjegjësimin rreth rrezikut të vajzave, shprehu ngazëllim rreth lajmit të mirë.

“Ne jemi gjithmonë të ngazëllyer kur mësojmë lajme të tilla …edhe nëse çlirohet vetëm një kënaqemi shumë … imagjinoni me 82. Pra, sot është një ditë shumë e mirë në fakt; shumica prej nesh fjetëm shumë vonë natën e kaluar sepse po bisedonim në internet, duke inkurajuar njëri-tjetrin. Kur të mblidhemi sot në mbrëmje patjetër se do të jetë një takim emocionues”

tha ai.

Nigeria falenderoi Zvicrën dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për ndihmën e tyre në sigurimin e lirimit të 82 vajzave pas “negociatave të gjata”, tha presidenca e vendit në një deklaratë.

Vajzat pritet të takohen me presidentin e Nigerisë Muhammadu Buhari më vonë gjatë ditës.

Grupi i vajzave të çliruara të shtunën, u rrëmbyen nga militantët e grupit Boko Haram në vitin 2014 nga një shkollë në qytetin Çibok, pranë kufijve të Nigerisë me Çadin dhe Nigerin.

Zyrtarët e qeverisë nigeriane konfirmuan lirimin herët të dielën.

Vajzat fituan lirinë pas negociatave të zgjatura ndërmjet grupi Boko Haram dhe të dërguarve të qeverisë. Buhari tha se nxënëset u liruan në shkëmbim me ekstremistët e burgosur. Një numër i madh vajzash të rrëmbyera në Chibok janë ende të zhdukura.

Autoritetet thanë se 276 vajza u rrëmbyen nga një shkollë e mesme e drejtuar nga qeveria më 14 prill të vitit 2014. Afro 60 vajza që arritën të ikin gjatë orëve të para, thanë se rrëmbyesit i morën ato nga fjetoret dhe i hipën në kamionë për t’i nisur drejt pyllit.

Disa ditë më vonë, një video e shpërndarë gjerësisht tregonte mbi 100 vajza të rrëmbyera. Boko Haram tha se pengjet ishin konvertuar në islam dhe do të këmbeheshin vetëm më militantët e burgosur nga qeveria.

Atëbotë, udhëheqësi i grupit Boko Haram, Abubakar Shekau, tha se do t’i shesë vajzat si skllave.

Rrëmbimet nxitën reagime ndërkombëtare përfshirë edhe dënimin nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bshkuara. Michelle Obama, që ishte zonja e parë amerikane, filloi një fushatë mediale në përpjekje për të siguruar lirimin e vajzave.

Nuk pati shenja të vajzave të Chibokur për më shumë se dy vjet, derisa njëra prej tyre, tashmë nënë me një foshnjë, nuk u shfaq majin e kaluar. Dy vajza të tjera arritën të arratisen në zonat e kontrolluara nga qeveria më vonë gjatë vitit të kaluar, ndërsa një grup prej 21 pengjesh u liruan tetorin e kaluar.

Ministri nigerian i Mbrojtjes, Manir Dan Ali, i tha shërbimit Hausa të Zërit të Amerikës muajin e kaluar se mund të kalojnë vite derisa të gjenden të gjitha vajzat e rrëmbyera.

Boko Haram, synimi i shpallur i të cilit është krijimi i një shteti islamik, ka vrarë mijëra veta dhe ka detyruar dy milionë që të zhvendosen gjatë kryengritjes së tij që tashmë ka hyrë në vitin e tetë.

Kombet e Bashkuara thanë se vajzat nga Chiboku nuk janë viktimat e vetme të grupit Boko Haram.

Militantët kanë rrëmbyer të paktën dy mijë vajza e djem që nga viti 2014. Shumë nga pengjet janë shfrytëzuar si kuzhinierë, skllave seksi, luftëtarë e madje edhe sulmues vetëvrasës, sipas organizatës Amnesty International./VOA