Një ditë pasi u zbulua se kishte udhëtuar me ish–Ministrin Saimir Tahiri me Audin A8, në kohën kur ky automjet përdorej nga Habilajt, ish–zëvendësministrja e Brendshme, Elona Gjebrea ka reaguar për këtë çështje.

Në një prononcim të shkurtër për gazetarët, ajo tha se ndihet e qetë dhe se është e gatshme të shkojë në prokurori në çdo moment.

“Unë do të shkoj në prokurori dhe do të përgjigjem për çdo gjë. Nuk kam qenë dhe jam e gatshme të shkoj në prokurori”,

tha Gjebrea, e cila shtoi se

“nuk e ka thirrur njeri”

.

Ajo kërkoi nga gazetarët që të mos bëjnë lojën e ‘kazanit’.

“Në radhë të parë përdorni etikën dhe mos vazhdoni lojën e kazanit. Të manipuloni të përdorni shpifje”.  

Të enjten, burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur për Tv Klan se Elona Gjebrea ka udhëtuar me këtë makinë në Gusht të vitit 2014.

Tv Klan ka parë fashikullin në të cilin saktësohet se ish–zëvendësministrja e Brendshme ka udhëtuar më 8 Gusht të vitit 2014 nga porti Sarandës për në Greqi në shoqërinë e shefit të saj në atë kohë, Saimir Tahirit. 

Deputetja e Partisë Socialiste, pritet të pyetet nga Prokuroria për këtë episod që e lidh atë me makinën e ish–Ministrit.

Prononcimin e saj, Gjebrea e bëri gjatë kohës që po largohej nga Komisioni i Sigurisë Kombëtare, ku ajo pati edhe një përplasje me deputetin demokrat Flamur Noka. 

Noka u shpreh kundër buxhetit të vitin 2018 për këtë sektor dhe e akuzoi Policinë e Shtetit për organizatë kriminale. Pikërisht në këtë moment ai iu drejtua ish – zv/ministres Gjebrea me fjalët:

“Policia e Shtetit është një organizatë me kupolë kriminale, e kapur nga krimi. Është shndërruar në një institucion që transporton drogën e Habilajve, apo jo zonja ish-ministre, se ti e di mirë”.

/tvklan.al