Një javë para asamblesë zgjedhore në Federatën e Futbollit një delegacion i UEFA-s zbret në Tiranë për të marrë garanci se procesi nuk do të ketë ndikime politike. Zv/presidenti i organizmit europian të futbollit Grigoriy Surkis iu drejtua mëngjesit të sotëm zyrës së kryeministrit Edi Rama. Pas një takimi që zgjati më shumë se parashikimi, megjithëse u rezervua të tregojë detaje, Grigory Surkis duket se është kuptuar më së miri me kryeministrin.

“Ndamë opinione, shpresoj dhe besoj se na dëgjuan me kujdes. Delegatët e FIFA dhe UEFA do të jenë të pranishëm në Asamblenë Zgjedhore të 7 Shkurtit dhe do të vazhdojmë të mbajmë të njëjtin qëndrim. Nëse zgjedhjet do të zhvillohen demokratike dhe transparente ne do të përgëzojmë fituesin. Se cili do të fitojë do ta shohim në përfundim të Asamblesë”.

 Surkis tha se zgjedhjet në Shqipëri janë një shqetësim edhe për presidentin e UEFA-s, Ceferin.

 “Qëllimi i vizitës tonë lidhej me shqetësimin, pas sinjalizimeve që kemi marrë së fundmi rreth tentativave të palëve të treta për të ndërhyrë në procesin zgjedhor. Synimi ynë është një dhe i vetëm: të nënvijëzojmë se duhen respektuar principet e UEFA-s, principi i demokracisë, i transparencës dhe i zgjedhjeve të lira. Principe të cilat nuk lejojnë ndërhyrjen e palëve të treta në procesin zgjedhor të Federatës Shqiptare të Futbollit”.

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, zv/presidenti i UEFA-s zhvilloi një bisedë me presidentin e FSHF, Armand Duka.

Tv Klan