uefa

Shqipëria nuk ka marrë atë që priste nga UEFA. Komisioni i Disiplinës ka vendosur t’i japë fitoren 3 – 0 në tavolinë Serbisë. Vendimi për Shqipërinë është marrë për shkak të mosrikthimit në fushë.

Federata Shqiptare e Futbollit është dënuar edhe 100 mijë euro gjobë. Ndëshkim ka patur edhe për Serbinë duke i hequr 3 pikë nga klasifikimi i kualifikueseve të EURO 2016 për masa të pamjaftueshme sigurie në këtë aktivitet.

Federata Serbe e Futbollit do të pagujë edhe 100 mijë euro gjobë, ndërsa tifozeria është përjashtuar në dy ndeshjet e radhës në fushën e saj. Federata Shqiptare e Futbollit ka kundërshtuar menjëherë vendimin, duke e quajtur te padrejte dhe nen presionin e deklatave politike te autoriteteve me te larta serbe.

Ilir Shulku (Sekretari i Përgjithshëm në FSHF)

“Arbitri ka shkruar se ekipi ka refuzuar të vijojë lojën. Kjo ka qenë pika më thelbësore e raporteve, pasi delegati dhe oficeri i sigurise kanë qenë korrekt dhe për këtë pikë që ka qenë shumë e dyshimtë, Shqipëria është penalizuar”. 

Bardhyl Minxhozi (Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF)

“Ajo që është habitshme është që vendimi u mor nën presionin dhe logjikën e deklaratave politike dhe Serbia praktikisht nuk është dënuar”.

Presidentit të FSHF -së, Armand Duka në një bisede telefonike per TV Klan ka deklaruar se ky vendim është ndikuar politikisht dhe federata do ta çojë deri në fund betejën e saj.

Armand Duka (President i FSHF-së)

“Nëse do të ishte një vemndim juridik Shqipëria do ta fitonte ndeshjen 3 – 0, por më duket një kompromis politik gjë që nuk i shërben futbollit. Janë 3 shkallë gjykimi dhe ne do t’i marrim 3 pikët”.

Edhe trajneri i Kombetares, Gianni De Biasi eshte shprehur se vendimi ishte i padrejte dhe se Shqiperise iu hoq ajo qe arriti ne fushe.

Federata Shqiptare do ta ankimoje vendimin.

Artan Hajdari (Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF)

“Do të bëjmë ankimin në Komisionin e Apelit, lufta juridike do të vazhdojë. E kemi thënë edhe herë të tjera që argumentat tona janë të forta dhe unë mendoj se 3 pikëshi duhet të na ishte dhënë. Apeli është më debatues ka më shumë jurisprudencë, megjithatë edhe pas apelit është KAS”.

Palët kanë 5 ditë kohë për t’u njohur me argumentat e vendimit të UEFA –s dhe më pas 3 ditë për të bërë ankimimin. Ndeshja Serbi – Shqipëri u ndërpre para se pjesa e parë të përfundonte për shkak të trazirave në stadiumin e Beogradit. Tensionet që u shoqëruan edhe me dhunë ndaj lojtarëve shqiptarë bënë që Kuqezinjtë mos dilnin më në fushë, pasi ishin të pamundur fizikisht dhe psikologjikisht për të vijuar takimin. Kjo përballje ishte vlerësuar i një rreziku të lartë dhe për këtë shkak nuk u lejuan tifozët shqiptarë të ishin të pranishëm në stadium.

Tv Klan