Thirrjet raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjen kundër Partizanit, i kanë kushtuar skuadrës Botev Plovdiv një ndëshkim  nga UEFA.

Organizmi europian i futbollit ka marrë në konsideratë ankesën e klubit të kuq gjatë ndeshjes. Komisionet disiplinore të saj kanë shqyrtuar çështjen dhe kanë dalë me vendimin për të mbyllur 4 sektorë të stadiumit Lazur. Lajmi bëhet i ditur nga vetë klubi bullgar. 

Në njoftim shkruhet se ndëshkimi erdhi pas thirrjeve raciste të tifozëve vendas në ndeshjen kundër Partizanit. Për klubin ky është një ndëshkim domethënës, pasi në stadium do të mungojnë rreth 3 mijë tifozë ultras në 2 ndeshjet e radhës një për kampi0onat dhe një për Uefa Europa League.

Në shenjë ndjese për çka ndodhi në ndeshjen kundër partizanit, klubi ka vendosur që shkallët e sektorëve të mbyllur nga UEFA të mbulohen me banera me mbishkrime kundër racizmit.

Ndërkaq çështje e hapur mbetet bllokimi i tifozëve të Partizanit në kufirin bullgar. Disa dhjetëra mbështetës ultras, të nisur me autobus nga kryeqyteti u mbajtën për 10 orë në kufi nga policia bullgare duke mos i lejuar që të udhëtonin drejt Plovdivit për të dhënë kontributin e tyre për skuadrën e Partizanit.

 Tv Klan