UEFA pritet të ndryshojë sistemin e transferimeve të lojtarëve në mënyrë që yjet e futbollit të mos përqendrohen në pak klube. Propozimi do të vijë nga presidenti Ceferin, i cili do të parashtrojë idetë e tij në kongresin që do të mbahet në Helsinki. Masat për të rritur konkurueshmërinë e klubeve, do të përfshihen në rregulloret e UEFA-s. Krahas tyre për klubet që kanë më shumë të ardhura, UEFA, do të propozojë edhe taksën e luksit pikërisht për të ulur mundësitë e tyre financiare për të afruar futbollistë.

Çështje që do të diskutohen në kongresin e radhës, janë edhe pjesëmarrja me nga 4 skuadra në Champions League të federatave të mëdha, gjë që kufizon mundësitë për ato të vogla që te përfaqësohen në garën më të madhe europiane për klube.

Në kongresin që do të mbahet të mërkurën do të votohet edhe për anëtarët e rinj të komiteti ekzekutiv të UEFA-s. Pak kohë më parë presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka paraqiti kandidaturën për të qenë pjesë e komitetit ekzekutiv. Janë 13 kandidatë për 8 vende për një mandat 4-vjeçar.

Tv Klan