Armand_Duka

UEFA ka dashur edhe një ditë më shumë kohë për të vendosur për çështjen e sfidës Serbi – Shqipëri.

Lajmi është konfirmuar per TV Klan nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Më herët shtyrjen e njoftuan edhe mediat serbe.

Anëtarët e Komisonit të Disiplinës mesa duket nuk kanë dashur të nxitohen me dhënien e vendimit për një ngjarje kaq të ndërlikuar.

Federata Shqiptare e Futbollit pretendon të marrë fitoren 3 – 0 në tavolinë, pasi provat që ka paraqitur në UEFA e mbështesin ekipin tonë.

Rastet e shfaqjes së racizmit, por edhe organizimin e dobët të palës pritëse janë një pikat e forta ku po mbështetet mbrojtja FSHF.

Në dosje janë përfshirë edhe raportet mjekësore për gjendjen e futbollistëve pas trazirave. Të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj Serbisë janë të dënueshme në Rregulloren e Disiplinës së UEFA-s.

Sipas FSHF duke u bazuar në këto fakte jo vetëm që shkelja për mospranim të vijimit të lojës nga Kombëtarja duhet të rrëzohet, por duhet që fitorja t’i caktohet Shqipërisë.

Sa për flamurin me hartën e Shqipërisë Etnike që u shfaq në stadium dhe krijoi shumë debat nuk mund të akuzohet pala shqiptare që sqaron se në atë moment nuk ka patur tifozë në stadium dhe kështu që autori nuk mund të përcaktohet.

Megjithatë në rast se nuk jepet fitorja në tavolinë Federata Shqiptare e Futbollit është e vendosur ta çojë deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Tv Klan