Irani mori fitoren e parë në kampionatin botëror, pasi shënoi dy gola në kohën shtesë

Shpresat e Uellsit për Kupën e Botës janë në fije të perit, pasi ata u mundën nga Irani në takimin e dytë të Grupit B.

Përfaqësuesja iraniane i shënoi golat në kohën shtesë, ndërsa vazhdimisht kishte vënë nën presion kombëtaren e drejtuar nga Rob Page.

Ndeshja ishte e luftuar mes të dyja ekipeve në stadiumin “Al Rajan”, ndërkohë që kthesa erdhi në minutën e 84 të lojës. Portieri Uejni Henesej la portën e tij dhe në përpjekje për të larguar topin, i shkaktoi faull sulmuesit iranian Mehdi Taremi.

Në fillim arbitri Mario Eskobar e ndëshkoi me karton të verdhë, por pas konsultimit me sistemin VAR e përjashtoi atë nga loja.

Gareth Bejl dhe shokët e tij u përpoqën që t’i rezistonin sulmeve të kundërshtarëve, por në minutën e 8 shtesë u thyen. Zëvendësuesi Ruzbeh Çeshmi e futi topin në rrjetë pas një gjuatjeje të bukur nga jashtë zone.

Përpjekjeve të dëshpëruara të uellsianëve për të barazuar, Irani iu përgjigj me golin e Ramin Reza-ianit në minutën e 101.

Tri pikët e para të marra i japin shpresë kombëtares së drejtuar nga Karlos Kueriozi për të shkuar në të16-at për herë të parë në histori.

Kurse  Uellsi me vetëm 1 pikë që të kualifikohet, do të duhet që të mposhte Anglinë dhe të ketë fatin me vete.

Klan News