UkrainaaaTeksa operacioni anti-terrorizëm i ushtrisë ukrainase po vijon në shkallë të gjerë, 5 është numri i viktimave në rradhët e forcave filo-ruse, sipas konfirmimit që ka dhënë ministri i Brendshëm në Kiev, Arsen Avakov. Ai tha se një anëtar i njësive ukrainase ka mbetur i plagosur rëndë gjatë operacionit, ndërsa 3 post-blloqe janë shkatërruar. Ndërkohë, vetë forcat filoruse kanë deklaruar për dy të vdekur në rradhët e tyre.

Operacioni është fokusuar për rimarrjen e Sllavjanskut, ku sipas njoftimeve rrejtet e komunikimit janë ndërprerë, por edhe ndaj qyteteve të tjera pranë tij, Kramatorsk dhe Izjum.

Pamjet flasin qartë për vendosmërinë e autoriteteve të reja në Kiev për të rimarrë nën kontroll të gjithë territorin e vendit, që kontrollohet nga forcat filoruse.

Moska ka reaguar ashpër, teksa presidenti Vladimir Putin deklaroi se përdorimi i ushtrisë ndaj popullsisë civile përbën një krim të rëndë dhe se ky veprim do të ketë pasoja për autoritetet e Kievit. Më herët nga Tokio, presidenti amerikan Barak Obama, e akuzoi Rusinë se është duke përçmuar marrëveshjen e javës së kaluar të arritur në Gjenevë për zgjidhjen e situatës në Ukrainë.

Autoritetet e reja në Kiev thanë gjithashtu gjatë ditës së kanë rimarrë nën kontroll godinën e administratës bashkiake të qytetit Mariupol në rajonin e Donjeckut. Gjatë përleshjeve trup më trup dhe me shkopinj bejzbolli mes forcave filo-ruse dhe atyre pro-europiane disa persona kanë mbetur të plagosur, thanë burime zyrtare në Kiev.

Burime nga terreni thanë për mediat ndërkombëtare se situata në vend është tensionuar dhe Ukrana rrezikon luftën civile.