Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Bashkinë e Tiranës kërkon rritjen e tarifave të ujit të pijshëm, si për familjarët ashtu edhe për bizneset. Sipas projekt vendimit që i është dërguar Këshillit Bashkiak nga kryebashkiaku Veliaj, UKT propozon dyfishimin e tarifës fikse mujore nga 100 në 200 lekë për të gjitha kategoritë dhe rritje me mbi 30% të vlerës së ujit për metër kub.

Çmimi i ri i ujit për familjarët propozohet të rritet nga 45 lekë që është aktualisht në 65 lekë për metër kub. Ndërsa për entet private nga 135 shkon në 190 lekë, për institucionet shtetërore nga 120 në 170 lekë, për klientët e veçantë nga 170 në 235 lekë dhe për furrat e bukës nga 90 në 130 lekë për metër kub.

Rritja e çmimit, sipas ndërmarrjes së ujësjellësit, vjen si domosdoshmëri e rritjes së nevojës për investime.

Sipas Bashkisë së Tiranës, metropoli shqiptar aktualisht është qyteti me çmimin më të ulët të ujit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në krahasim me kryeqytetet e rajonit.

Gjithsesi do të jetë Këshilli Bashkiak, ku PD e LSI kanë shumicën, ai që do të vendosë në lidhje me këto ndryshime në mbledhjen e së mërkurës.

I kontaktuar nga Televizoni Klan, kreu i grupit të këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli tha se do të votojnë kundër këtij projekt vendimi, që sipas tij është abuzim në kurriz të qytetarëve, ndërsa nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përfaqësuesi i këtij grupimi, Endrit Brahimllari tha për Televizonin Klan se sapo janë njohur me këtë dokument, për të cilin do të mblidhen ditën e hënë për të vendosur nëse do të jenë pro apo kundër rritjes së çmimit të ujit të pijshëm në kryeqytet.

 Tv Klan